Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, kryeministri Fatos Nano ka folur mbi rëndësinë e procesit të afrimit të Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Europian. Kryeministri vlerësoi si objektiv raportin e BE-së, duke njohur defektet e qeverisë për një menaxhim më të mirë të punës. Problemi kryesor sipas shefit të qeverisë, qëndron tek përfaqësitë diplomatike.

Fatos Nano: “Dhe për pasojë, mbeten boshllëqe, mbeten fenomene, objektivisht të argumentuara, të mungesës së kredibilitetit të punës së institucioneve tona, mbeten paragjykime, keqkuptime, apo dhe lobingje negative, për hapat e mëtejshëm që duhet të hedhim në afrim më këto institucione”.

Kryeministri Nano kërkoi që grupi parlamentar të shmang fenomenet negative, që cilësohen në raportin e BE-së, sekretariati i PS dhe partitë aleate, nuk e mbështesin siç duhet kuvendimin e madh sipas tij, ndaj kreu i mazhorancës kërkoi që të ndryshojë tërësisht imazhi i deritanishëm, duke premtuar dhe një sjellje më të ndjeshme, ndaj ligjvënësve socialistë.

Fatos Nano: “Jam i bindur, se me më shumë qetësi, me më shumë angazhime solidare, me më pak meskinitet, apo humbje busulle, ndaj interesave jo qeverisëse, me më shumë përgjegjësi, siç do të kishim mundur, akoma mundemi, të prodhojmë një perceptim edhe më pozitiv, për vendin në progres dhe për kapacitetet tona qeverisëse. Sikur ta kishim realizuar këtë gjë, mjaft pasazhe të raportit do të mungonin, pasazhe kritike dhe negative. Ndërkaq unë jam sot këtu me ju, jo për të gjetur armiq, por për të reformuar dhe dinamizuar agjendën tonë afatshkurtër të veprimeve politike dhe qeverisëse”.

Duke pasur në vëmendje punën intensive për integrimin e Shqipërisë, kryeministri Nano kërkoi që brenda 21 ditëve, të përcaktohet kalendari i veprimeve ligjore dhe administrative. Ministrat të paraqesin brenda 10 ditëve afate për reformat e përfshira në agjendë, sipas çdo dikasteri dhe brenda vitit 2005, të ketë përfunduar regjistrimi i popullsisë dhe pajisja e çdo qytetari me karta identiteti.

Ish-kryeministri Meta, pas mbledhjes së grupit parlamentar, deklaroi se nuk mund të kalohet në një matricë të re veprimesh, pa zgjidhur më parë çështjet e agjendës së mëparshme. Ilir Meta tha, se nuk do të bashkëpunojmë me kryeministrin Nano, nëse nuk analizohen të gjitha fenomenet që kritikohen në raportin e BE-së.

Ilir Meta: “Në se nuk do të ketë vullnet, për të analizuar raportin dhe arsyet kryesore themelore, që kanë bërë, që agjenda e shpallur para një viti pas raportit të mëparshëm të dështoi dhe të mos jetë e suksesshme, pra pa bërë një gjë të tillë, unë e kuptojë se çdo lloj bashkëpunimi është i dështuar”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj