Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryeministri Nano ka nisur verifikimin e punës së zyrtarëve të lartë të administratës, lidhur me realizimin ose jo të kontratës së firmosur në momentin e emërimit.

Në mbledhjen e parë të kabinetit qeveritar për këtë vit, Nano porositi ministrat që në harkun kohor të 10 ditëve të paraqesin realizimin e strategjisë sektoriale për vitin që sapo u mbyll, si dhe objektivat për këtë vit. I pari në listën e të larguarve ekselentë me kontratë, ishte Sokol Kraja, i cili për 5 muaj drejtoi doganat shqiptare. Kraja tashmë do të drejtojë Entin Kombëtar të Zonave të Lira.

Kastriot Islami:- “Zoti Kraja vazhdon të mbetet në fondin e potencialeve të kësaj mazhorance, për të vazhduar të japi kontributin e tij, si dhe deri tani”.

Nga ana tjetër, Ferdinand Papadhima është zyrtari më i lartë që ka nënshkruar kontratën e parë me kryeministrin Nano për vitin 2003. Vetë Papadhima premtoi rezultate më të larta gjatë prezantimit me stafin, nga Ministri i Financave Islami.

Ferdinand Papadhima:- “Objektivi im kryesor do të jetë realizimi i planit, bashkëpunimi me organizmat ndërkombëtare, ulja e evazionit fiskal dhe duke shprehur edhe punën e mirë që ka bërë kolektivi gjatë gjithë këtyre viteve, në bashkëpunim edhe tani sa më të mirë me kolektivin, besojë se këto objektiva do t’i realizojmë”.

Realizimi i pikave të kontratës së punës është kriteri kryesor i lëvizjes nga puna dhe për ministrat, të cilët kanë nënshkruar marrëveshjet me Nanon disa muaj më parë. Analiza e rezultateve në çdo dikaster do të pasohet nga vendimmarrje të tjera të shefit të qeverisë./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame