Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Kryesocialisti Nano ka zgjedhur ambientet e hotel Rognerit, për kontaktet politike me ambasadorë, kolegët socialistë dhe aleatët. I ftuari i parë në tavolinën e Nanos ishte ambasadori amerikan Josef Limpreht. Për rreth 60 minuta Nano e Limpreht, kanë diskutuar për përgatitjet e zgjedhjeve parlamentare. Pasi ka paguar shpenzimet e tryezës, ambasadori Josef Limpreht u shpreh:

Ambasadori Josef Limpreht:- “Diskutuam për përgatitjet e procesit zgjedhor edhe pse nuk jam i interesuar drejtpërsëdrejti për koalicionet parazgjedhore, shpresoj që forcat politike do të bashkëpunojnë për të organizuar zgjedhje të qeta”.

Pas takimit me ambasadorin Limpreht, Nano ka diskutuar me deputetët Majko e Islami, për mocionin e shkarkimit të tre anëtarëve të Gjykatës së Lartë, i cili do të diskutohet nesër në parlament. Pas takimeve Nano ka shmangur gazetarët e shumtë. Ndërkohë Nano ka rrezikuar një incident, ndërsa ka preferuar të zëvendësojë shoferin në timonin e makinës./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame