Lajme Arkiva 2003

Kryetari Socialdemokrat Skënder Gjinushi prezantoi kandidatët për kryetar bashkie në Përrenjas dhe Librazhd. Në takimet me elektoratin socialdemokrat të Librazhdit zoti Gjinushi theksoi rolin e PSD-së në zhvillimet politike qeverisëse të vendit dhe argumentoi domosdoshmërinë e fitores në 12 tetor të së majtës dhe socialdemokracisë për forcimin e qeverisjes vendore dhe të banorëve në këto njësi administrative.

Skënder Gjinushi: Prandaj ju tani dini të bëni dallimin midis qeverisjes së mbrapshtë të opozitës deri në ’97 dhe i qeverisjes më të mirë të së majtës pas ‘97. Ne ju premtuam në ‘97 se Shqipëria mund të ribëhej  ndonëse ndodhej  në prag të një lufte civile dhe ja ku jemi sot në një Shqipëri normale, në një Shqipëri që i afrohet Evropës.

Ndërsa kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahia ka qenë në Pogradec në një takim me elektoratin e kësaj partie në këtë rreth duke prezantuar edhe kandidatë për të gjithë njësitë vendore.

Ekrem Spahia: Në sloganin tonë kemi “Ne dimë ta duam Shqipërinë”, sepse një pjesë e duan Shqipërinë për ta grabitur, për ta skllavëruar, për ta denigruar, për ta poshtëruar , ndërsa nacionalistët, legalistët, mbretërorët shqiptarë e duan Shqipërinë për ta begatuar.

Sipas Spahiut kandidaturat e Partisë së Legalitetit  ofrojnë përkushtim, ndershmëri dhe transparencë të plotë në menaxhimin e fondeve publike./tvklan.al