E nisin ndaj Luksenburgut

Luksenburgu do të jetë kundërshtari i parë për kombëtaren e femrave në kualifikueset e Euro2025. Skuadra e teknikut, Armir Grima do ta nisë rrugëtimin në transfertë ndaj Luksemburgut. Kjo sfidë do të zhvillohet më datë 5 Prill. Katër ditë më pas, më datë 9 Prill kuqezezat do të luajnë ndeshjen e parë në shtëpi ndaj Estonisë.

Në muajin maj më datë 31, Shqipëria e vajzave do të luajë sërish ndaj Estonisë këtë herë në transfertë. Ndeshja e fundit e Kombëtares së vajzave për kualifikueset e Europianit “Zvicër 2025” do të jetë në shtëpi ndaj Luksemburgut më datë 4 Qershor.

Pas përfundimit të ndeshjeve kualifikuese, do të nisë faza Play-off. Kombëtarja e vajzave mund të kualifikohet në këtë fazë nëse renditet e para në grupin C, ose si një nga tre vendet e dyta më të mira. Në rast kualifikimi në fazën Play-off, Shqipëria do të përballet me një nga katër skuadrat e vendin të tretë dhe të katërt të çdo grupi në Ligën A.

Ndërsa në vazon e dytë të raundit të parë të Play-off-it do të përballen, katër vendet e para, të dyta dhe të treta të Ligës B me sistem vajtje-ardhje dhe në raundin e dytë do të kualifikohen gjashtë ekipet më të mira. Më pas, skuadrat e kualifikuara në raundin e dytë do të përballen më njëra-tjetrën, po me sistem vajtje-ardhje nga ku do të përcaktohen edhe shtatë ekipet e tjera që do të shkojnë në finalet e Europianit.

Gjithashtu sipas skemës së përcaktuar nga UEFA, pesë ekipet e Ligës C që dalin në krye të grupeve përkatëse do të ngjiten direkt në Ligën B. Objektiv për të cilin kuqezezat do ta tentojnë për të rritur pritshmëritë në të ardhmen.

Kualifikueset e “Euro 2025” femra:

05.04.2024 Luksemburg-Shqipëri

09.04.2024 Shqipëri-Estoni

31.05.2024 Estoni-Shqipëri

04.06.2024  Shqipëri-Luksemburg

Klan News