Shoqata “2 Prilli” në bashkëpunim me autoritetet vendore dhe degën lokale të Partisë Demokratike  në Shkodër kanë përkujtuar demonstratën e 2 prillit 1991 ku mbetën të vrarë katër të rinjtë pjesëtarë të lëvizjes antikomuniste. Familjarë dhe të afërm, politikanë dhe qytetarë të shumtë bënë homazhe në memorialin kushtuar katër dëshmorëve të demokracisë, Arben Broci, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku dhe Nazmi Kryeziu.

18 vjet pas kësaj ngjarje kundër regjimit komunist, familjarët e Arben Brocit,  një  prej pjesëmarrësve të takimit me ish-presidentin Ramiz Alia, janë të bindur se vrasja e katër të rinjve ishte një krim shtetëror i paracaktuar nga regjimi i kohës.

Lie Broci: “Tre ditë para se të vdesë mu luste nënë po të lutëm bëhu e fortë, mua do më vrasin, mua do më presin, mua do më zhdukin, ai e dinte 100% se ishte në shënjestër qysh kur kishte qenë në takim me Ramiz Alinë. Kur çohen këta për me dal i shtrij dorën me i kap flokët dhe i them unë Beni pse ta shtriu dorën Ramiz Alia me ti kap flokët? Me i diftu atyre tha se ky do të vritet.”

Nëna e Arbenit thotë se tashmë ajo njeh dhe një nga personat që ditën e 2 prillit qëlluan mbi djalin e saj.

Lie Broci: “Ishim në autobus dhe po çohet mem pagu 2 lekëshin e autobusit, i thash ik mor se 2 lekëshi jot është plumb. Pasha Zotin më kanë dhënë urdhër thotë me i vra, më kanë dhënë urdhër, pse more i them unë ti e ke vra Beni? Po thotë më kanë dhënë urdhër kam qenë ushtar.”

Edhe drejtuesit e grupimit “ Dhjetor 90” besojnë se njerëzit që urdhëruan vrasjen e katër të rinjve nuk janë vënë ende para drejtësisë

Beslim Hametaj: “Përsa i përket asaj ngjarje para disa ditësh më është rrënqethur mishi kur kam parë ish-ministrin e brendshëm të asaj kohe Gramoz Ruçin, drejtues kryesor i PS-së sot, kur bënte thirrje në një konferencë për shtyp tek partia socialiste dhe thoshte që i bëjmë thirrje PD të mos luajë me zjarrin. Unë besoj dhe jam plotësisht i bindur që deklarata të tilla duhet të jenë të izoluara dhe duhet të  dënohen edhe nga vetë Partia Socialiste./tvklan.al