Përfaqësuesja kuqezi ka mbërritur në Pragë pasditen e kësaj të enjte. Me skuadrën kanë udhëtuar të gjithë lojtarët e grumbulluar. Në kryeqytetin e Republikës Çeke ekipi ynë kombëtar do të mbyllë të premten përgatitjet për takimin e parë të Ligës së Kombeve.

Trajneri Silvinjo do t’i japë dorën e fundit planeve për sfidën me Ukrainën. Kuqezinjtë do të zhvillojnë seancën stërvitore në orën 18:00, në stadiumin që do të luhet ndeshja ndaj Ukrainës “Epet Arena”.

Në prag të kësaj sfide të parë futbollistët janë besimplotë se do të marrin rezultat pozitiv. Mesfushori, Qazim Laçi, një prej autorëve të golave në kampionatin Europian kërkon mbështetje nga tifozët ashtu siç ndodhi në Gjermani. Për mbrojtësin, Marash Kumbulla sfida e së shtunës është shumë e vështirë, por shtoi se ekipi është gati për të arritur tek fitorja.

Përpos Ukrainës, Kombëtarja shqiptare gjendet në grupin B1 të Ligës së Kombeve së bashku me Gjeorgjinë dhe Republikën Çeke. Fitorja e divizionit shpërblehet me një biletë kualifikuese në Botërorin e vitit 2026. Ndeshjet e kuqezinjve do të vijnë ekskluzivisht falas në Televizionin Kombëtar Klan.

Klan News