Gjykata Kushtetuese nuk mori në konsideratë 2 kërkesat që Kuvendi i bëri 48 orë përpara daljes me vendim për mandatin e deputetes Olta Xhaçka. Anëtarët e kësaj gjykate rrëzuan si kërkesë për rihapje të shqyrtimit për këtë çështje, ashtu dhe atë për t’ju drejtuar Komisionit të Venecias për të marrë një opinion.

Po ashtu gjykata rrëzoi dhe këtë votim të 11 prillit të parlamentit i cili me votat e shumicës vendosi të mos i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për mocionin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Xhaçka.

Gjykata me vendimin e kësaj të mërkure i kujtoi parlamentit detyrimin kushtetues për të zbatuar vendimet e saj dhe jo për t’i interpretuar ato, ndaj menjëherë duhet të dërgojë mocionin për mandatin e deputetes socialiste për shqyrtim, ashtu siç ajo kërkonte në vendimin e Janarit të 2023.

Kërkesa e opozitës për papajtueshmërinë e mandatit për deputeten Xhaçka është depozituar në parlament nga opozita që në 2022. Sipas tyre, ndryshe nga sa përcakton Kushtetuta për mandatin e të zgjedhurve, Xhaçka ka përfituar nga fondet publike si bashkëshorte e Artan Gaçit që ka statusin e investitorit strategji. 

Kjo kërkesë e opozitës u rrëzua nga Kuvendi si i pabazuar, vendim që u padit në Gjykatë Kushtetuese. Në 23 janar të 2023, gjykata i kërkoi parlamentit që ta çonte në gjykatë mocionin për mandatin e deputetes socialiste, por socialistët me votim e 11 prillit në parlament vendosën që të mos t’i drejtohen gjykatës dhe ta cilësojnë të ezauruar këtë çështje.

Tv Klan