Paralajmëron takim tjetër për dinarin serb

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u bëri thirrje palëve që të nisin sa më parë me zbatimin e Marrëveshjes Bazë. Pas takimit që pati në Prishtinë me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, Lajçak tha se zbatimi i kësaj marrëveshje është në interesin e të gjithëve.

“Është marrëveshja më e mirë që kemi mundur të arrinim. Në këtë marrëveshje kemi të gjitha përgjigjet, çfarë të bëjmë dhe si t’i bëjmë. Kemi shpenzuar shumë kohë për të ndërmarrë hapa dhe ka frikë në të dyja palët se çfarë do të bëjë unë e çfarë pala tjetër”.

Pjesë e diskutimit në takimin me Bislimin ishte edhe çështja e dinarit serb.

“Kemi pasur takimin javën e kaluar në nivel ekspertësh në Bruksel. Takimi ishte konstruktiv dhe arritëm të gjenim përgjigje për disa pyetje. Por, janë disa pyetje që shkojnë përtej mandatit të këtyre ekspertëve dhe i kemi diskutuar këto çështje me Bislimin”.

Për t’i dhënë një zgjidhje dhe kësaj çështja ai tha se do të vijojë komunikimi me palët dhe se po planifikon të organizojë një takim të ri në ditët në vijim në nivel të kryenegociatorësh.

Tv Klan