Lajme, #edicioniinformativ ora 19:30 data 17 Qershor 2024 #TvKlan #KlanLajme

Spiker: Redi Prifti

Rumania dhe Sllovakia bëjnë surprizën në “Euro 2024”, sonte në fushë del Franca, live në TV Klan

Rumania bën surprizën e parë këtë europian duke fituar bindshëm 3-0 ndaj Ukrainës që shihej si favorite e sfidës. Sonte në mbrëmje zbret në fushë Franca me yjet e saj përballë Austrisë në një tjetër sfidë që do të vijë LIVE në Tv Klan.  

Shqipëria, e plotë për Kroacinë. Gati edhe Jasir Asani pas lëndimit me Italinë

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të jetë e plotë në sfidën e së mërkurës ndaj Kroacisë. Sot të gjithë lojtarët dolën në stërvitje. Stafi përgatitor konfirmon se edhe sulmuesi Jasir Asani e ka kaluar lëndimin që mori në ndeshjen ndaj Italisë.

Futbollistët kroatë vlerësojnë Shqipërinë: Pika të forta, grupi dhe uria për fitore

Futbollistët kroatë thonë se po e vlerësojnë maksimalisht sfidën ndaj Shqipërisë. Sipas Lovro Majer, Shqipëria ka një skuadër të fortë dhe pikat e saj të forta janë loja në grup dhe uria që kanë për fitore pas humbjes në ndeshjen e parë.

UEFA procedim disiplinor për FSHF. Në hetim, sjellja e tifozëve ndaj Italisë

UEFA hap një procedim disiplinor për Federatën Shqiptare të Futbollit. Sjellja e tifozëve kuqezi në ndeshjen me Italinë, sipas organit drejtues të futbollit europian, nuk ka qenë sipas rregullave pasi u hodhën tymuese dhe një tifoz hyri në fushë.

Rrëzohet kërkesa e Sali Berishës kundër “non grata”-s në Angli. Reagon ish-kryeministri

Komisioni Special i Apeleve të Emigracionit në Londër vendosi të lërë në fuqi vendimin e Ministrisë së Brendshme që shpalli “non grata”, Sali Berishën në korrik të 2022. Ish-kryeministri thotë se komisioni nuk vlerësoi mijëra faqe me prova.

Tatimet, apel për bizneset e turizmit: Deklaroni fitimin real ose rrezikoni kontrolle

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nis një fushatë për deklarimin real të të ardhurave nga bizneset që operojnë në sektorin e turizmit. Përmes një letre kërkohet vetëdeklarim i saktë i faturave, pagat dhe numri i punonjësve.

I nxehti përvëlues përfshin Shqipërinë. Në Berat, Elbasan dhe Fier termometri prek 41 gradë

Kjo javë sjellë në vendin tonë një valë përvëluese të nxehti. Sinoptikanët parashikojnë që të enjten dhe të premten termometri të shënojë 41 gradë në Berat, Elbasan dhe Fier. I nxehti ekstrem godet edhe Greqinë. Humbin jetën 5 persona.

/tvklan.al