Fluksi i refugjatëve shqiptarë të kthyer nga Policia Greke po shtohet gjithnjë e më tepër nga pika doganore e Kakavijës. Nga keqtrajtimet dhe grisja e dokumentave ngjarjet po precipitojnë jo më me ditë por me orë.

NATO do të qëndroje në Shqipëri me dy mijë trupa të cilat do jenë prapavija e KFOR-it në Kosovë dhe do të përgatisin Ushtrinë Shqiptare. Burime të Televizionit Klan kanë zbardhur dje enigmën e vendimit që pritet të merret për të ardhmen e trupave të NATO-s, sot në Bruksel.

Rugova pasi qëndroi vetëm disa orë në Prishtinë u largua për në Itali, duke mos marrë pjesë në mbledhjen e krijimit të Këshillit të Sigurimit kalimtar të Kosovës. Sipas Cekës veprimet e tij befasojnë gjithnjë e më shumë. Ndërsa për Doklen veprimet e Rugovës që pas Rambujesë janë të dyshimta.

Banka Botërore do të financoje projektet e rëndësishme për Shqipërinë. Kështu është angazhuar dje Presidenti i Organizmit Financiar më të fuqishëm të botës. Pas firmosjes së marrëveshjeve miliona dollarëshe me Qeverinë Shqiptare ai do shkoje të shohë Kukësin, simbolin e pritjes së 500 mijë refugjatëve.

Të lutemi që të gjenden gjallë Xhon Kenedi dhe familjet e tij, tha Nënpresidenti i Amerikës Al Gor. I gjithë opinioni amerikan dhe Klintoni po ndjekin operacionin për gjetjen në Oqean të avionit të rrëzuar.

Vuk Drashkoviç një nga dy lideret e opozitës serbe fillon protestat e tij anti Millosheviç me protesta në rrugë. Zjarre masive kanë përfshirë pardje dhe dje disa fshatra minoritare të Dropullit. Sipas shpjegimeve autorët e tyre janë barinj që kërkojnë ripërtëritjen e kullotave. Këto zjarre kanë dalë jashtë kontrollit kur kanë përfshirë edhe zona të banuara.

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë bën investime të mëdha në qytetin e Korçës. Një mensë për të varfërit e qytetit dhe një kopësht ku 100 fëmijë mësojnë dhe ushqehen. Elbasani ka vetëm një treg të sistemuar. Fondet e Bashkisë për krijimin e 4 tregjeve të reja shkuan për situatën e krizës së refugjatëve kosovarë.

Shumë çifte tani vendosin kurorën e tyre në Kishë ndërsa një pjesë tjetër preferon xhiron rreth Kryeqytetit deri në Kopështin Botanik.

Ndahet nga jeta në orët e para të ditës së djeshme në moshën 77 vjeçare Artisti i Popullit, Pandi Raidhi. Ai koleksionoi 200 role në teatër dhe 36 role në kinematografi.

Diktatori Augusto Pinocet deklaroi se ai është i vetmi i burgosur politik në Angli. Për veprimet e mia kur drejtoja Kilin mund të mbajë vetëm përgjegjësi politike dhe jo juridike i ka thënë ai një gazete londineze./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti