Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Jetojnë midis fshatit dhe qytetit, mes varfërisë, por dhe luksit të ndërtimeve. Jetojnë në një amulli totale urbanistike, nga ndërtesat e thjeshta elbasanase, deri tek stilet më të komplikuara perëndimore. Po kaq kompleks pritet të jetë edhe ligjërimi dhe urbanizimi i zonave me kaq shumë kontraste.

Nesër parlamenti do të marrë në shqyrtim ligjin e legalizimeve, ku çështjet thelbësore, si kompensimi i tokës shtetërore, legalizimi i dyqaneve, si dhe koha e fillimit të legalizimeve, mbeten të hapura ndaj debateve politike dhe vendimeve parlamentare. 

Banorët e zonës së Saukut, që pritet të përfitojnë nga ky ligj, shpresojnë se shteti do të legalizojë dhe dyqanet e vogla, si dhe kërkojnë që qeveria të mundësojë pagesa me këste.

Banori i Saukut: “Pagesën e legalizimit në qoftë se shteti e kërkon nga ana jonë, ne do e kishim pagu me qejf, jo me një gjobitje që t’ia paguajmë drejtpërdrejt, apo një afat shumë të vogël, por sigurisht që me këste.”

Banorja e Saukut: “Është shumë e rëndësishme për neve që t’i legalizojë shtëpiat dyqanet, se është e ardhmja e fëmijëve, e ardhmja jonë.”

Ligji i legalizimeve parashikon edhe shembje të banesave për shkak të infrastrukturës. Banorët aprovojnë përball forcës së shtetit, por dhe ndihen të zhgënjyer. Procesi i legalizimeve pritet që sipas ligjit të përfundojë brenda dy vjetësh. Zgjidhjet duhet të gjenden mes pronarëve të vjetër, pronarëve të rinj, shtetit, faturave financiare, studimeve urbanistike, si de vendimeve për shembje të pjesshme apo të plotë./tvklan.al