Dy partitë kryesore kanë reaguar menjëherë lidhur me deklaratën e ambasadorit të Komisionit Europian për të vijuar përmes një debati të gjerë dhe gjithëpërfshirës reformën në drejtësi. Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj kërkoi përshpejtim të këtij procesi, duke theksuar nevojën e nisjes nga puna të nën komisionit për reformën në drejtësi.

Valentina Leskaj: “Ne besojmë se sot vendi ka nevojë më shumë se kurrë për bërjen e një reforme në drejtësi edhe për shkak se shteti ligjor është një nga kondocinalitetet themelore, për sa i përket integrimit të vendet në Bashkimin Europian dhe në NATO. Ne jemi për një proces tërësisht të hapur, sa më përfshirës që do të na garantonte një reformë cilësore dhe të qëndrueshme nga mungesa e të cilave, pra nga mungesa e reformë cilësore dhe të qëndrueshme ky vend ka vuajtur.”

Nga ana tjetër Partia Demokratike ka sqaruar se nga reforma e nisur tashmë në sistemin e drejtësisë nuk ka asnjë tërheqje.

Astrit Patozi: “Reforma në drejtësi nuk mund të konsiderohet për asnjë çast si një proces i ndërprerë apo si një proces i lënë në mes, por mund të konsiderohet thjesht dhe vetëm si i postuar pak për shkak të agjendës së ngjeshur parlamentare të kohëve të fundit, por ne e kemi shfrytëzuar këtë kohë për t’u përgatitur më mirë, jemi të gatshëm për të gjitha temat e mëdha dhe do të ishte ndoshta edhe në nderin e opozitës që këtë paketë ne ta nisnim pikërisht me kufizimin e imuniteteve.”

Fillimi i punës për reformën në drejtësi u konkretizua pak muaj më parë me miratimin me konsensus mes palëve të ligjit me funksionimin dhe organizimin e sistemit gjyqësor./tvklan.al