Në përfundim të vizitës së saj në Tiranë, eurodeputeja Doris Pack, ritheksoi qëndrimin e palëkundur të Bashkimit Europian se zgjerimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt familjes europiane është një proces që nuk do të ndalet. Ky qëndrimi i zonjës Pack u bë pas miratimit të deklaratës së përbashkët mes dy delegacioneve në takimin e 16 ndërparlamentar Shqipëri-BE.

Doris Pack: “Procesi i zgjerimit po vazhdon dhe gjithçka po shkon si tani. Është fakt që gjatë viteve të ardhshme do të vazhdojë ky zgjerim, askush nuk ka thënë se ky proces do të ndalet. Ju po i afroheni anëtarësimit në BE, por është një rrugë e gjatë për t’u integruar në Bashkimin Europian dhe për këtë ju duhet të investoni në të gjitha fushat, duhet të vazhdoni të punoni”.

Gjatë konferencës për shtyp Eurodeputetja Pack kundërshtoi dhe qëndrimin më të fundit të opozitës lidhur me shpërndarjen falas të kartave të identitetit për kategorinë e shtetasve që nuk disponojnë pasaportë.

Doris Pack: “Opozita nuk duhet të vazhdojë të thotë që prisni pak se pas disa muajsh, kartat do të jenë falas. Kjo s’është mënyrë e drejtë pasi është vendosur që në fillim, që kartat do të jenë 10 euro. Ndaj duhet t’i përmbahen premtimeve që çdokush të interesohet për kartën e tij të identitetit. Çmimi i kartave, prej 10 euorsh, është i ulët, çdo shtetas duhet të aplikojë dhe të dëshmojë pamundësinë e pagesës për mjete të tilla. Shqipëria duhet të zëvendësoj certifikatat me kartat e identitetit. Kujtoni se para dhe kohë ju është dashur për një certifikate dhe kjo gjë nuk e kompenson çmimin e një karte që është e përjetshme. Nuk duhet krijoni iluzione që karta e identitetit të jepet falas, pasi kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës.”

Integrimi në NATO, ka qenë një tjetër pikë ku është ndalur deputetja europiane. Sipas saj shqiptarët duhet të ndihen krenar për këtë proces që do të finalizohet në muajin prill, pasi kjo dëshmon ka theksuar Pack, se Shqipëria i ka përmbushur tashme të gjitha standardet për të qenë anëtar me të drejta të plota në strukturën e atlantikut të veriut./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro