Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Lëvizja Mjaft edhe njëherë i është kthyer shfaqjes në krah të kryeministrisë, duke ironizuar gazetën e përditshme “Zëri i Popullit”.

Organi i cili çdo ditë po përbën problem me mënyrën se si reagon dhe trajton çështjet e realitetit shqiptar. Shfaqja e të rinjve me gazetë në dorë, ka risjellë orën politike, por ndryshe, jo përpara fillimit të punës si dikur. Në mesditë janë lexuar arritjet e këtij vendi nëpërmjet gazetës “Zëri i Popullit”.

Erion Veliaj: “Ne kemi dashur të ringjallim orë politike të qëmotit, kur prindërit tanë shkonin për të marrë vesh të vërtetat e partisë përpara orarit të punës, jemi njohur me shpifjet ndaj lëvizjes Mjaft, ndërkohë që përgjigjet të cilat i prisnim për çështje, si impianti i plehrave, tenderat në Ministrinë e Arsimit, apo deklarimi i pasurive nuk i gjej në këtë gazetë. Me trishtim konstatojmë që pak gjëra kanë ndryshuar që nga koha e qëmotit kur linçoheshin ata që bënin agjitacion dhe propagandë, armiqtë e klasës punëtore dhe urojmë që dita e sotme të jetë e fundit ku i shtojmë tirazhin me blerje të tilla kësaj gazete”.

Për të rinjtë e lëvizjes Mjaft, asgjë që shkruhet këtu nuk është për t’u besuar. Gjerat ne vend mund të ndryshohen dhe pa u paguar.

Erion Veliaj: “Jo çdo gjë shitet dhe blihet, jo çdo media e cila kundërshton mund të blihet, jo çdo OJQ që kundërshton mund të blihet, pra janë disa gjëra që nuk kanë një çmim”.

Të rinjtë janë çuditur dhe kanë qeshur që në faqet e kësaj gazete nuk kanë gjetur korrupsion apo varfëri./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti