Pas mbylljes së Europianit, te Milani kanë nisur punën për afrimet që do të bëjnë në merkaton e verës.

Lëvizjet te kuqezinjtë, do të jenë kryesisht në mesfushë dhe në sulm. Marrëveshja me Alvaro Moratën është mbyllur dhe sulmuesi spanjoll i është nënshtruar vizitave mjekësore, para se të firmosë kontratën.

Për kampionin e Europës, është gati kontrata 4 vjeçare, me 4.5 milionë euro në sezon. Milani do të paguajë 13 milionë euro tek Atletico Madrid, për klauzolën e largimit.

Megjithatë, italianët nuk do të ndalen vetëm te Morata për sulmin. Gjermani Niclas Fullkrug, është gjithashtu një objektiv dhe kontaktet e para kanë nisur.

Nëse dështon një marrëveshje me futbollistin e Borussia Dortmund, në listën e Milanit, është sulmuesi i Romës, Tammy Abraham.

Lëvizje në skuadrën e Fonseca-s, pritet të ketë edhe në mesfushë. “Djalli” ka arritur akord personal me mesfushorin Youssouf Fofana, por duhet gjetur gjuha e përbashkët edhe me Monaco-n, që zotëron kartonin e lojtarit.

Francezët kërkojnë të paktën 25 milionë euro për shërbimet e lojtarit, shifër e lartë për nënkampionët e Italisë.

Në këtë situatë, drejtuesit po shqyrtojnë edhe objektiva të tjerë dhe kanë nisur bisedimet me mesfushorin e Udinese, Lazar Samardzic. Ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për lëvizjet në hyrje.

Përveç afrimeve, te Milani po punojnë edhe për lëvizjet në dalje. Për të finalizuar lëvizjet e ardhshme, janë shumë të rëndësishme edhe shitjet, për të financuar lëvizjet.

Alexis Saelemaekers pritet të jetë largimi i parë. Belgu mund të hyjë në negociatat me Romën për Abrahamin ose të shitet përfundimisht ndoshta në Premier League, ku Leicester City dhe Ipswich Town, por edhe Nottingham Forest, do të ishin gati të paguanin rreth 10 milionë, aq sa kërkon Milani. /tvklan.al