Komisioni i Ligjeve miratoi me 15 vota pro projektvendimin për shtimin e numrit të prokurorëve në SPAK. Numri i prokurorëve u kërkua të shtohej pas kërkesës së drejtuesit të saj, Arben Kraja.

Në lidhje me këtë kërkesë janë shprehur pozitivisht Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave. Sipas drejtuesit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, shtimi i prokurorëve në SPAK nuk ka kosto shtesë në buxhetin e shtetit.

Rastet e hetimeve të nisura me krijimin e SPAK, ato të mbartura etj., janë disa prej arsyeve pse është kërkuar shtimi i prokurorëve.

Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit para Gjykatave të posaçme, merr masa dhe mbikëqyr ekzekutimin e vendimeve penale, si dhe kryen detyra të tjera të ngarkuara me ligj. Prokuroria e Posaçme i kryen funksionet e saj në mënyrë të pavarur, nëpërmjet prokurorëve të posaçëm, të cilët emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në përputhje me këtë ligj./tvklan.al