Një ligj i ri financiar që paraqet taksa më shumë për popullsinë në Kenia ka shkaktuar një valë të përgjakshme protestash në Nairobi. Si pasojë e protestave, policia dhe demonstruesit janë përleshur dhe kanë shkaktuar pesë viktima.

“Policia në kryeqytetin kenian, Nairobi, ka qëlluar për vdekje të paktën pesë persona gjatë protestave të mëdha kundër rritjes së planifikuar të taksave”, kanë deklaruar autoritetet.

Gjithashtu, raportohet për rreth 45 persona të lënduar, të cilët janë dërguar në Spitalin e Nairobit dhe po marrin trajtimin mjekësor.

Teksa kanë kundërshtuar ligjet e reja tatimore, një pjesë e parlamentit kenian është djegur nga protestuesit. Gjatë gjithë ditës, në Nairobi janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri dhe është hedhur gaz lotsjellës ndaj protesuesve nga ana e policisë.

Në mesin e protestuesve ka qenë edhe motra e ish-presidentit amerikan, Barck Obama, aktivistja keniane, Auma Obama. Në një pronocim për CNN, ajo ka thënë se ndaj saj është hedhur gaz lotsjellës gjatë demonstratave jashtë parlamentit në Nairobi.

BBC ka mësuar se disa deputetë janë strehuar në bodrumin e parlamentit pasi miratuan projekt-ligjin financiar që synon taksa të reja në kurriz të qytetarëve kenianë. Protestat po zhvillohen edhe në pjesë të tjera të Kenias, pasi zemërimi në popull është rritur ndjeshëm./tvklan.al