Lajme Arkiva 2003

Ministri i Rendit Luan Rama i ka kërkuar Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe presidentit të zbardhë të gjitha proceset gjyqësore që kanë përfunduar pa dënimin e merituar. Kjo deklaratë e ministrit Rama vjen gjashtë ditë pas vrasjes së komisar Gani Malushit. Ai së bashku me zëvendës kryeministren Ermelinda Meksi ka ngushëlluar familjarët e viktimës.

Luan Rama: Zbardhja e së vërtetës për të gjitha ato procese ku për shkak të papërgjegjshmërisë së punonjësve brenda policisë, gjykatës apo prokurorisë, është bërë e mundur që kriminelët të lihen të lirë, pra do ti kërkoja Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe presidentit të Republikës zbardhjen e të gjithë proceseve gjyqësore, ku janë trajtuar këta njerëz dhe cilat janë shkaqet që këta njerëz janë lënë të lirë. Në mënyrë shumë të përgjegjshme po reflektojmë edhe për përgjegjësitë që ka policia por në rastin konkret kërkohet më shumë vullnet dhe bashkëpunim midis prokurorisë, policisë dhe gjykatës, që gjyqtarë, apo punonjës të këtij sistemi që lirojnë kriminelë të shkojnë dhe të ndëshkohen ligjërisht, duke mbajtur përgjegjësi penale dhe duke u dënuar me burg.

Për sa i përket zbardhjes dhe ndalimit të vrasësit dhe ndihmës financiare që shteti ndërmerr në raste të tilla Rama shprehet.

Luan Rama: Hetimet janë pjesë e angazhimit të gjitha institucioneve dhe përfundimisht kanë zbardhur gjithçka që lidhet me vrasjen e komisar Malushit po vendin e autorit, vendin e autorit do ta trajtojmë në mënyrë profesionale dhe jo në mënyrë mediatike. Shteti që ka të gjitha përgjegjësitë për trajtimin ligjor të të gjithë punonjësve të policisë në detyrë dhe aq më tepër për ata që japin jetën në përballje me krimin ka parashikuar edhe vlerësimin maksimal për të.

50-vjeçari Malushi jetonte prej 4 vitesh me të shoqen në këtë shtëpi me qira. Bashkëshortja e mbetur e vetme për momentin nuk kërkon asgjë. Njeriu i humbur i saj zor të shpërblehet. Ajo kujton se një orë kishte që ishte ndarë atë ditë nga Malushi dhe e humbi përjetë atë. Për të Gani Malushi kishte bërë më shumë nga sa kishte përfituar./tvklan.al