Lajme Arkiva 2003

Strukturat e Rendit janë të motivuara në zbatim të ligjit dhe të sigurimit të rendit publik, pavarësisht klimës dhe debateve politike, kështu ka deklaruar Ministri i Rendit Luan Rama në një konferencë për shtyp, njoftuar momentet e fundit, ku ka pasqyruar me shifra rezultatet e punës së policisë në 6 muajt e parë të këtij viti.

Deklarata e Ministrit të Rendit vjen menjëherë pas debateve në kryesinë e Partisë Socialiste ku është diskutuar si mjaft problematike edhe kriminaliteti dhe krimi i organizuar. Janar-Qershor 2003 rezulton 6 mujori më i mirë për sa i përket situatës së rendit në vend është shprehur ministri duke e krahasuar me periudhën kohore që nga viti 90 ndërsa i pyetur për përplasjet Nano-Meta Rama ka kujtuar se këto lloj përplasjesh mund të sjellin edhe pasoja.

Luan Rama: Nga viti i kaluar të gjithë mbajnë mend që kostot politike të problemeve që shfaqi mazhoranca u shfaqën edhe në shtyrjen e afatit të nënshkrimit të çeljeve të negociatave të procesit të stabilizim-asocimit në Bashkimin Evropian. Pra nëse ato u çelën në fillim të këtij viti duhet t’ju kujtoj që duhet të ishin çelur që në vitin e kaluar. Që do të thotë i gjithë ky proces është shumë herë më i rëndësishëm dhe ne jemi tërësisht të angazhuar që të jemi korrekt dhe serioz në përmbushjen e detyrave dhe për të cilat jam i bindur se mazhoranca do të shfaqë pjekurinë e nevojshme, jo vetëm tradicionale por edhe pjekurinë e momentit për të bërë të mundur që debati që është hapur të mos ketë asnjë efekt mbi të gjithë këtë proces dhe aq më pak asnjë efekt paralizues apo pritës mbi administratën publike.

Sipas Ramës policia ka reflektuar rezultate jo vetëm në zbulim, por edhe në parandalim të kriminalitetit. Janë zbardhur 13 krime vrasjesh nga 16 të kryera dhe janë penalizuar mbi 50 persona për krime që kanë të bëjnë me drogën. Shifrat e arritura në rend sipas Ramës vijnë si rezultat i bashkëpunimit dhe koordinimit me strukturat shtetërore brenda vendit dhe me partnerë të huaj./tvklan.al