Lufta antikanabis do të jetë pritoriteti kryesor i Policisë së Shtetit gjatë këtij vitit. Ministri i brendshëm, Bledi Çuçi, së bashku me kreun e Policisë së Shtetit, Gledis Nanon zhvilluan një takim më drejtuesit e uniformave blu. Ministri deklaroi se në mes të vitit nis kontrolli satelitor i territorit.

“Diku nga mesi i vitit do të kemi shërbimin satelitor që do të na prodhojë gati përditë foto të pjesëve të territorit të Shqipërisë, në ato zona që janë edhe më sensitive. Mund të kemi një avantazh tjetër që do të na krijohet për shkak të kontrollit të përditshëm të territorit nga sateliti. Me shpresë gjithashtu që nga fundi i vitit të fillojë edhe monitorimi me dronët super-inteligjentë. Por besoj se me satelitë do të fillojë më shpejt”.

Çuçi kërkoi nga drejtuesit e Policisë së Shtetit që të mos tolerojnë asnjë presion politik të çfarëdo niveli qoftë.

Bledi Çuçi: Presionin politik për të mbyllur një sy apo për të toleruar diku e keni zero. Nga ministri apo kryeministri as që nuk diskutohet. Por çfarëdolloj sinjali sado të tërthortë që mund të merrni nga çdo faktor politik sado i lartë të jetë duhet ta refuzoni me forcë dhe të më bëni me dije mua drejtpërdrejt. Nëse i shkon nëpërmend njeriut të mbyllë një sy në lidhje me këtë gjë, do t’i shkatërrohet karriera”

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano tha se do të këtë zero tolerancë për ata që ushtrojnë këtë aktivitet të paligjshëm. 

Gledis Nano: Do të qëndrohet fort për çdo rast ku do të ketë abuzim, mosveprim apo më keq akoma implikim të punonjësve të policisë apo çdo drejtues strukture në këtë aktivitet të kundraligjshëm. Unë ju garanttoj që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të jetë gjithmonë e gatshme dhe do të monitorojë çdo aktivitet, do të bashkëpunojë me çdo institucion ligjzbatues dhe të inteligjencës, me qëllim që të minimizojë këtë problematikë”

Ministri Çuçi u kujtoi krerëve të policisë se lufta kundër kultivimit dhe trafikut të kanabisit është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe se atyre po iu jepej rasti ta bënin këtë gjë që mund të ishte një moment i rëndësishëm në karrierën e tyre.