Izraeli i ka thënë ‘jo’ armëpushimit prej 48 orësh të propozuar nga Franca, duke injoruar thirrjet e Bashkimit Europian për të lejuar ndihmat ndaj popullit në Gaza. Takimi mes kryeministrit izraelit Ehud Olmert,  ministrit të mbrojtjes Ehud Barak dhe ministres së jashtme Tzipi Livni nuk dha asnjë rezultat në lidhje me ndalimin e përkohshëm të dhunës.

Bombardimet kanë vijuar gjatë orëve të natës, duke hyrë kështu në ditën e pestë. Por mesa duket Tel Avivi po përmbush deklaratën e Olmert, se ofensiva është vetëm në fillim. Mediat e huaja raportojnë se tanket ushtarake të pozicionuara në kufi kanë zbrazur artilerinë në drejtim të rripit të Gazës, duke shënuar një fazë të re te sulmit, ndërkohë që Hamas u është kundërpërgjigjur me raketa në jug të Izraelit.

Situata ka ngritur në këmbë vendet fqinje të Izraelit dhe Gazës si Iibani, i cili ka shtuar forcat e sigurisë në kufi. Mijëra palestinezë kanë braktisur Gazën dhe i janë drejtuar Egjiptit, ndërsa qeveria e Kajros i ka bërë thirrje popullit të anulojnë festimet për vitin e ri në shenjë solidariteti.

Brukseli nga ana e tij parashikon të nisë një delegacion me ministra në Tel Aviv për të ulur gjakrat dhe OKB këmbëngul t’i jepet fund dhunës dhe konfliktit të armatosur, i cili, sipas saj, ka shkaktuar deri tani vdekjen e 25% të palestinezëve në rripin e Gazës./tvklan.al