Ndërsa restorantet përgjatë lumit Seine të Parisit normalisht gumëzhijnë nga aktiviteti në fundjavët e verës, ato u boshatisën që prej së dielës, pasi policia ka vendosur një perimetër sigurie përgjatë lumit. Gardhet metalike u ngritën që në mesjavën e shkuar. Kushdo që jeton ose punon brenda perimetrit duhet të kërkojë leje kalimi kod QR për të kaluar pikat e kontrollit.

Janë të shumtë ata që nuk e kanë informacionin dhe rrjedhimisht kanë mbetur jashtë këtij perimetri.

Lojërat Olimpike do të fillojnë më 26 korrik me një ceremoni që do të shohë mijëra atletë të parakalojnë me varka në lumë.

Organizatorët kanë premtuar një spektakël të veçantë, por kjo ka sjellë shumë shqetësim për sigurinë.

Megjithëse pronarët e restoranteve dhe bareve i kishin pranuar masat e sigurisë, ata nuk i kishin parashikuar efektet masive mbi bizneset e tyre, pasi disa restorante kanë deri në 80% më pak klientë. Bizneset u dëmtuan pasi punësuan edhe staf shtesë për të përballuar fluksin e turistëve, por askush nuk e kishte menduar se lokalet do të mbeteshin bosh.

Parada e ceremonisë së hapjes së Olimpiadës do të lundrojë në lumë nga katedralja Notre-Dame de Paris dhe do të mbërrijë pranë Kullës Eiffel, pasi të kalojë nën ura dhe porta dhe pika referimi të kryeqytetit francez. Organizatorët kanë thënë se do të ketë muzikë, valle e shfaqje në breg të lumit dhe urë.

Tv Klan