Kylian Mbappe bëri prezantimin si lojtari më i ri i Real Madrid dhe tani po mendon për debutimin.

Sulmuesi francez kaloi me sukses vizitat mjekësore dhe mjekët i konfirmuan se operacioni në hundë nuk është i nevojshëm. Gjithçka po shkon mirë për rikuperimin dhe lojtari ka shmangur operacionin, ndërsa shumë shpejt pritet të zbresë në fushë.

Sipas asaj që raporton “AS”, Mbappe mori dritën jeshile nga mjekët, për të bërë debutimin e tij me fanellën madrilene në ndeshjen e Superkupës Evropiane, ndaj Atalantës.

Përballja është planifikuar të luhet me 14 gusht dhe kjo pritet të jetë edhe dita kur do të shikojmë 25-vjeçarin në fushë, për herë të parë me fanellën e Real Madrid.

Mbappe u transferua te spanjollët si lojtar i lirë, pasi kishte përfunduar kontratën me PSG-në, aty ku bënë gjithçka për t’i ndryshuar mendjen sulmuesit, por nuk ia dolën dot. /tvklan.al