Themeluesi i Wikileaks, Julian Assange është shfaqur i lirë pas një beteje ligjore shumëvjeçare. Ai nuk përballet me burgim dhe tani është duke u kthyer në Australi, pas seancës dëgjimore të mbajtur në Ishujt Mariana Veriore, një territor amerikan. Lirimi i tij i jep fund një sage ligjore 14-vjeçare, gjatë të cilës ai i kaloi më shumë se pesë vjet në një burg të sigurisë së lartë në Britani të Madhe dhe shtatë vjet të tjera në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku e luftoi ekstradimin në Shtetet e Bashkuara, pasi përballej me 18 akuza penale.

Gjatë një seance që zgjati tre orë, Assange u deklarua i fajshëm për një akuzë penale, për komplot për të siguruar dhe publikuar dokumente të klasifikuara të mbrojtjes kombëtare amerikane. Ai tha se kishte besuar se veprimtaria e tij po mbrohej nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane, i cili mbron lirinë e shprehjes. “Duke punuar si gazetar, unë e nxita burimin tim të më japë informata për të cilat thuhej se ishin të klasifikuara, në mënyrë që t’i publikoja”, tha Assange në gjykatë.

Babai i themeluesit të WikiLeaks tha se lirimi i djalit të tij është qershia mbi tortë dhe vlerësoi ligjvënësit australianë për mbështetjen e tyre.

“Me të vërtetë, kjo është qershia mbi një tortë ditëlindjeje shumë, shumë të bukur, që Julian mund të kthehet në shtëpi në Australi dhe të shohë familjen e tij  dhe të bëjë gjërat e zakonshme të jetës, është një thesar dhe vetë jeta me bukurinë e saj.Pra, çdo gjë që kemi paguar emocionalisht, fizikisht, kohën dhe më pak para është shpërblyer mirë sot.”

Tani që marrëveshja për pranimin e fajësisë së Assange është nënshkruar, kryeministri i Australisë ka dhënë komentet e tij më të forta deri më tani për rastin e themeluesit të Wikileaks dhe luftën për ta liruar atë. “Kjo është se si duket mbrojtja e australianëve në mbarë botën. Kjo do të thotë të mbarosh punën, të arrish rezultate dhe të fitosh në fund,” tha ai në një fjalim në parlament.

Mbështetësit e Julian Assange u mblodhën jashtë Konsullatës së SHBA në Sidnei për të kërkuar lirimin e tij.

Marrëveshja për të liruar Assange nisi teksa një delegacion deputetësh udhëtoi në Uashington në shtator për të lobuar drejtpërdrejt në Kongresin e SHBA. Kryeministri australian më pas e ngriti vetë çështjen me Presidentin Joe Biden gjatë një vizite shtetërore në tetor. Kjo u pasua nga një votim parlamentar në shkurt, kur deputetët mbështetën me shumicë dërrmuese një thirrje për të nxitur SHBA-në dhe Britaninë e Madhe që të lejonin Assange të kthehej në Australi.

Assange u padit gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump për publikimin e dokumenteve sekrete amerikane nga WikiLeaks, të cilat u zbuluan nga Chelsea Manning, një ish-analiste e inteligjencës ushtarake amerikane, e cila gjithashtu u ndoq penalisht. Në një deklaratë që përshkruante 18 akuzat, në vitin 2019, qeveria amerikane akuzoi themeluesin e Wikileaks për komplot  mbi publikimin e të dhënave konfidenciale ushtarake amerikane në lidhje me luftërat në Irak dhe Afganistan.

Klan News