Futbollisti i Kombëtares, Elseid Hysaj i ftuar në emisionin “Kampionët” nga Marina Vjollca në Tv Klan ka treguar më shumë mbi atë se si është ndjerë pas gjithë reagimeve negative ndaj tij në rrjet.

Ndër të tjera ai ka treguar edhe atë se çfarë i tha Sylvinho në momentin që është vënë në dijeni të të gjithë reagimit të tifozerisë shqiptare kundrejt tij. Hysaj u shpreh se trajneri e ka pyetur se si ndihet dhe a është i gatshëm për ndeshjen me Kroacinë.

Hysaj ka treguar edhe se me cilin nga pjesëtarët e ekipit ka më shumë shoqëri, ku mes tyre ka veçuar portierin Etrit Berisha. Futbollisti gjithashtu ndau në “Kampionët” edhe momentin më emocionues që e shtyu të lej pas edhe të gjithë atë reagimin në rrjetet sociale.

Marina Vjollca: Momenti të nesërmen me shokët si ishte atmosfera? Kush prej tyre të nejti më afër?

Elseid Hysaj: Gjithë i kam si të afërm, por unë kam veç një shok që është Berisha që jemi tani e sa vite bashkë dhe nuk ndahemi.

Marina Vjollca: Çfarë të tha Berisha dhe çfarë të tha Sylvinho pikërisht për këtë jehonë?

Elseid Hysaj: Berisha është një mendje me mua. Edhe unë nuk e kisha problem se thash është një gobim që ju ndodh të gjithëve. Edhe Sylvinho erdhi më pyeti pas dy ditësh se nuk e kishte kuptuar as ai dhe i kishin thënë që është bërë shumë e madhe puna e Hysajt. Më tha hajde një sekondë e më thotë a ke probleme, a je mirë për ndeshjen me Kroacinë. Unë i thash jam mirë dhe mos mendo se çfarë janë nëpër rrjete më ndikojnë me të vërtetë se edhe instagramin e hapa edhe për të treguar që nuk e kam problem atë punën e komenteve. Mua më ka mjaftuar kur kam hyrë në stadium dhe kam dëgjuar emrin tim nga tifozët. Ata janë tifozat e mi. Tifozat pas telefonave nuk janë tifoza ata janë thjesht kalimtarë të kohës sepse tifozi i vërtetë vjen atje të mbështet.

Marina Vjollca: Për shumë pak ditë erdhi ndeshja me Kroacinë dhe ti e nise si titullarë dhe duhet të ishe shumë i fortë për ta përballuar sepse qoftë edhe gabimin më të vogël po të kishe bërë ajo do të ishte bumerang edhe më i madh. Më trego pak kjo e tregon forcën tënde të madhe. Si u ndjeve ti para ndeshjes dhe gjatë ndeshjes?

Elseid Hysaj: Tani të them që nuk kisha emocion apo ai tundimi që po të gaboj do të vihem në shenjestër, e kisha. Brenda vetes… unë iu thoja prindërve s’kam problem, por brenda vetes unë e dija që po të gaboja do të rikthehej përsëri e njejta gjë. Do të duhej prap kohë me u marr me njerëzit.

Marina Vjollca: Më trego emocionin më të fortë që ke përjetuar?

Elseid Hysaj: Emocioni më i fortë kur çunat ishin duke bërë ecjen dhe vjen brenda Rey Manaj dhe më thotë që të gjithë po bërtasin Hysaj. Me kaq që fole unë e vesha xhupin e Kombëtares dola në nxemje dhe isha aq i karikuar dhe thash “sot o do bëj mirë, o do bëj mirë”, s’kisha ku të shkoja dhe ajo ishte besoj ajo goditja që mua më tha që të tregoj veten me të vërtetë sepse nuk mund të më ikin mua 10 vite dhe të gjitha këto ndeshje për një gabim që është gabim normal. Nuk kishte sens që edhe unë t’i jepja shumë rëndësi./tvklan.al