Lajme Arkiva – TV Klan 2000

Grupi i grave ndërkombëtare të Tiranës, ka zhvilluar dje, një mbrëmje bamirësie. Të ardhurat që u mblodhën këtu, do të shkojnë për fëmijët e jetimores “Zyber Hallulli” në Tiranë. Organizuar në një formë të tillë, ku nuk kanë munguar sponsorizimet, kjo mbrëmje bamirësie, shënoi një hap të mëtejshëm në ndihmë të fëmijëve të varfër shqiptarë.

Kështu Banka e Tiranës, dhuroi edhe çekun e parë prej 1 milion e 50 mijë lekësh. Grupi i grave ndërkombëtare të Tiranës është formuar në vitin 97 dhe në vitin 99 është regjistruar si një Organizatë Jo Qeveritare për qëllime bamirësie. Presidente e grupit të grave është zonja Leila Karavias, e cila në këtë mbrëmje ftoi të gjithë të dhuronin diçka për fëmijët e jetimores së Tiranës.

Në këtë mbrëmje merrnin pjesë zonja e parë Lidra Mejdani, ambasadorë të shteteve të huaja, përfaqësues të trupave diplomatike në Tiranë, si edhe mjaft biznesmenë shqiptarë./tvklan.al