12 persona të akuzuar për vrasje dhe kërcënime

Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet për një seri ngjarjesh kriminale të ndodhura në kryeqytet përgjatë viteve 2017-2021 dhe i kërkoi Gjykatës të marrë të pandehur 12 persona.

Gjergj Cukali, i ashtuquajturi “i forti i Myslym Shyrit”, akuzohet nga SPAK së në bashkëpunim me Enver dhe Ermond Jamakun në Shkurt të 2021 tentuan të eliminonin shtetasin Gjon Mena, duke i vendosur tritol në makinë.

Kushërinjtë Jamaku, të parët që ranë në pranga pas ngjarjes në Kamzë, u treguan bashkëpunues me drejtësinë, duke rrëfyer edhe 3 ngjarje të tjera kriminale, si dhe për ekzistencën e disa bazave të armatimit në Tiranë.

Enver dhe Ermond Jamaku, në bashkëpunim me Blendi Dedën e Flor Abazin, sipas SPAK tentuan të eliminonin në 2019 Domart Konjarin, një i shumëkërkuar i drejtësisë shqiptare. Por pre e atentatit ra gabimisht kunati i tij.

Të dy kushërinjtë, në bashkëpunim me shtetasin Sokol Xhura në vitin 2017, dyshohet se qëlluan ndaj avokatit Paulin Paplekaj dhe disa ditë më vonë vendosën armën dhe plumbat në banesën e një tjetër shtetasi që ta implikonin.

Nga e njëjta dëshmi, SPAK dhe Policia arritën të gjenin edhe 18 baza armatimi në kryeqytet në banesat dhe ambientet në zotërim nga Sokol Xhura e Akil Kulla, ku u sekuestruan me dhjetëra armë zjarri të sofistikuara.

Të pandehur për armëmbajtje pa leje u dërguan në gjykatë edhe Arben Sufa, Bujar Jaupi dhe Petrit Shera. Në të gjitha rastet, Prokuroria beson se ngjarjet kriminale janë kryer në këmbim të vlerave monetare dhe për llogari të personave të tjerë, ende të paidentifikuar. Ndërkohë SPAK pushoi hetimet për mungesë provash për Festim Mustafën dhe Klodian Kullën.

Tv Klan