Ka përfunduar në Maqedoni votimi në 187 qendrat në zonat me shumicë shqiptare, ku në zgjedhjet e 1 qershorit u shënuan parregullsi. Procesi ishte në përgjithësi i qetë, ku ndonëse nuk munguan incidentet dhe disa parregullsi, nuk pati të shtëna zjarri dhe akte dhune. Pavarësisht masave të rrepta të sigurisë, policia arrestoi 10 persona, të cilët tentuan të mbushnin kutitë e votimit në Gostivar dhe Tetovë.

Burime të policisë bëjnë të ditur se këta persona dyshohet të kenë marrë pjesë aktive edhe në incidentet e dhunshme të 1 qershorit, ku humbi jetën një person dhe u plagosën disa të tjerë. Komisioni shtetëror zgjedhor bëri të ditur se deri në orën 17 pjesëmarrja në votime ishte 43.22%. Në vendbanimet shqiptare janë të regjistruar më shumë se 161 mijë qytetarë me të drejtë vote. Procesi i votimit u monitorua nga vëzhgues ndërkombëtarë dhe përfaqësues të ambasadës amerikane.

Kreu i misionit vëzhgues të OSBE-së Xhorxho Radicati tha për mediat lokale se deri në orët e pasdites procesi kishte shkuar mjaft mirë.  Pak më vonë, OSBE pritet të dalë edhe me raportin përfundimtar mbi këtë proces që pritet të influencojë përpjekjet e Shkupit për anëtarësim në BE. Votimet pritet të vendosin edhe fituesin në mes përfaqësuesve shqiptarë që synojnë të hyjnë në koalicion me kryeministrin Nikolla Gruevski./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle