Në momentet kur të gjitha institucionet përkatëse, por edhe përfaqësuese të bashkësisë ndërkombëtare po apelojnë për zgjedhje të lira dhe korrekte në Maqedoni, të enjten në Kërçovë ka ndodhur një incident i cili ka marrë konotacion politik.

Incidenti në të cilin kryearkitekti i komunës Ajaz, Rexhep Hasani ka plagosur me armë zjarri Mustafa Ademin nga fshati Tuhim të Kërçovës, PDSH e ka vlerësuar si incident me prapavijë politike, qëllimi i të cilit është frikësimi i votuesve shqiptarë.

Adriatik Imeri: “Ali Ahmeti dhe njerëzit e tij, vazhdojnë të gjuajnë mbi shqiptarët, tentojnë ti frikësojnë ata sepse vetëm në këtë mënyrë ai pretendon të udhëheqë shqiptarët. I apelojmë Nikolla Gruevskit përfundimisht të mos i ndërsejë jeniçerët e BDI-së kundër shqiptarëve, sepse kjo mund të jetë një lojë shumë e rrezikshme. Pyesim publikisht a thua edhe këtij gjuajtësi me armë zjarri, pra funksionarit të BDI-së Rexhep Asani, Nikolla Gruvenski do t’ia tërheq akt-padinë gjyqësore njëjtë sikurse Besir Dearit, që gjuajti në Kamian ditën e zgjedhjeve të vitit të kaluar.”

Incidentin e ka konfirmuar edhe ministria e punëve të brendshme. Zëdhënësi i kësaj ministrie Ivo Kotevksi në një prononcim telefonik për Klan, ka vërtetuar se rasti ka ndodhur të enjten në mbrëmje, duke shtuar se shkaku për këtë incident ka qenë banal, zënkë mes fëmijëve.

Kostesvksi ka shtuar, se Mustafa Ademi ka marrë lëndim të rëndë në gjurin e majtë, por gjendja e tij shëndetësore është stabile. Ndërkaq BDI ka hedhur poshtë akuzat e PDSH-së, duke thënë se në bazë të informacioneve që ata i posedojnë bëhet fjalë për incident për çështje individuale mes dy personave të involvuar, e jo për incident politik.

BDI përmes një kumtese ka kërkuar prej PDSH-së, që të mos marrë rolin e organeve policore dhe hetuese. Si dhe ka akuzuar partinë e Menduh Thaçit, se po përgatit terren për përsëritjen e skenarit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2008.

Partia e Ahmetit të enjten edhe zyrtarisht pranë komisionit shtetëror zgjedhor ka dorëzuar kandidaturën e Agron Buxhakut për zgjedhjet presidenciale të 22 marsit dhe është zotuar për fushtë korrekte parazgjedhore.

Nga Shkupi për Tv Klan Isen Saliu./tvklan.al