Komisioni hetimor parlamentar për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit “TIMS” nuk arriti që të bindë socialistët dhe demokratët që të dilnin me një raport të përbashkët.

Në mbledhjen e fundit, të dyja palët prezantuan raportet tyre. Kryekomisioneri Ervin Salianji gjatë paraqitjes së raportit tha se persona te paautorizuar dhe jo zyrtarë kanë pasur akses te të dhënat e sistemit TIMS, dhe se ata janë përdorur nga grupet kriminale.

Ervin Salianji: Të dhënat e sistemit TIMS iu kanë shërbyer grupeve kriminale për të bërë eliminimin e kundërshtarëve të tyre për të kufizuar lëvizjet jashtë vendit, apo edhe për t’u arratisur në rastet kur ndaj tyre janë lëshuar urdhër-arreste kombëtare apo ndërkombëtare.

Por socialistët në raportin e tyre rrëzuan pretendimet e opozitës dhe bënë të ditur se do të kërkojnë ndryshimet ligjore brenda 6 muajve që kanë të bëjnë me mbrojtjen e të dhënave.

Kryekomisioneri Ervin Salianj kërkoi bashkimin e dy raporteve, por kjo u hodh poshtë. Raporti i komisionit pritet të paraqitet në dy seancat e fundit parlamentare të parashikuara të mbahen këtë të enjte dhe të premte.

Tv Klan