Policitë e vendeve anëtare të Interpol dakodësuan për të bashkëpunuar kundër krimit kibernetik në përfundim të konferencës së mbajtur në Tiranë.

Për ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, ka një unifikim të luftës në këtë drejtim.

“Lufta kundër krimit kibernetik dhe kundër fëmijëve mbetet një nga sfidat më të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare, sepse është i lidhur me krime të tjera si terrorizmi dhe krimi kundër fëmijëve. Kapërcimi i sfidave kërkon një qasje të unifikuar”, tha Balla.

Balla foli sërish për Zyrën e Rikuperimit të Aseteve si një mënyrë për të goditur krimin e organizuar.

“Siç përmenda edhe gjatë ceremonisë hapëse ne do bëjmë disa ndryshime për një ligj të ri në Policinë e Shtetit shqiptar dhe gjithashtu në Zyrën e Rikuperimit të Aseteve që për ne është një aset i madh për të gjurmuar krimin e organizuar aty ku ka më shumë peshë”, tha ai.

Më herët Ministri i Brendshëm u takua edhe me presidentin Ahmed Naser Al-Raisi, me të cilin u diskutua mbi përdorimin e bazave të të dhënave dhe mjeteve të organizatës, edhe nga vendi ynë.

Tv Klan