Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet për kryetar bashkie në Bashkinë e Himarës. Votimet do të zhvillohen më 4 Gusht.

“Presidenti i Republikës, Bajram Begaj dekretoi datën 4 Gusht 2024 për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në Bashkinë Himarë, si alternativa më e mirë që pajton nevojën për përgatitjen dhe zhvillimin e një fushate të rregullt zgjedhore dhe nevojën për përgatitjen optimale të administratës zgjedhore, me kushtet, rrethanat dhe ngarkesën që sjell sezoni turistik për bashkinë Himarë, si njësi bregdetare e qeverisjes vendore”, njoftoi presidenca.

Përpara se të merrte vendimin Begaj thirri në konsultë Ilirjan Celibashin, Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve për t’u informuar lidhur me kapacitetet dhe gatishmërinë e institucionit menaxhues të zgjedhjeve, për zhvillimin e zgjedhjeve në këtë bashki brenda kornizës kalendarike të Kodit Zgjedhor.

Kujtojmë se sot, Këshilli i Ministrave njoftoi zyrtarisht Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar në Bashkinë Himarë për shkak të konstatimit të pavlefshmërisë së mandatit të fituar nga Alfred Beleri dhe kërkoi caktimin e datës së zgjedhjeve brenda afateve që përcakton Kodi Zgjedhor.

Kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë u gjend nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në kushtet e pavlefshmërisë së mandatit, për shkak të dënimit me vendim të formës së prerë për veprën penale të “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë./tvklan.al