Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu thotë se Shqipëria dhe Ballkani përballen me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Në një nga seancat e debateve për sigurinë e Europës që po zhvillohen në Sesionin Vjetor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Bukuresht, Mediu tha se këta dy faktorë intimidojnë zgjedhësit dhe ndikojnë në sigurinë e zgjedhjeve.

“Ne, në vendet tona, duhet të sigurojmë demokracinë, bazuar në zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe është pikërisht aty ku nis krimi i organizuar, me blerjen e votave me intimidimin e votuesve, pa zgjedhje të lira e të ndershme”.

Mediu  i kërkoi OSBE të shtojë vëmendjen për rajonin e Ballkanit, veçanërisht për standardet e zgjedhjeve.

“Duke qenë se OSBE qëndron për zgjedhje të lira e të ndershme, do të kërkoja më shumë vëmendje për rajonin, për standardet e  zgjedhjeve, respektimin e të drejtave dhe liritë e qytetarëve tanë, sepse kjo është gjithashtu shumë shumë shqetësuese dhe një kërcënim shumë i madh për stabilitetin tonë në rajon”.

Kryetari i PR shprehet se mungesa e vëmendjes ndaj Ballkanit Perëndimor do të ishte një rrezik për destabilitet dhe për rritjen e mundësive për një konflikt të mundshëm.

Klan News