Pas inspektimit të zonave pritëse të emigrantëve, Edi Rama dhe Giorgia Meloni zhvilluan konferencën për mediat, ku kreu i qeverisë shqiptare zgjodhi t’i drejtohej publikut në gjuhën italiane.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Flasim italisht sepse këtu jemi në territor italian. Më lejoni të shpreh kënaqësinë që ju shoh këtu shëndosh e mirë, në këtë zonë që sipas një gazete italiane është vendi ku veprojnë klanet të cilat lidhen me trafikun e qenieve njerëzore.

Në fjalimin e tij, nuk mungoi edhe një herë shprehja e keqardhjes për të gjithë baltën që u hodh mbi Shqipërinë për shkak të kësaj marrëveshje.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: S’mund të mos shfrytëzoj këtë rast për të shprehur trishtim për gjysmë të vërtetat që janë thënë për Shqipërinë në mediat Italiane. Të turpërohen të gjithë ata që të drejtën demokratike për të kundërshtuar këtë marrëveshje e kanë shndërruar në një abuzim të pushtetit të katërt dhe kjo në kurriz të shqiptarëve.

Giorgia Meloni falenderoi Edi Ramën në ndihmën që i dha për të luftuar emigrimin e paligjshëm, e vetëdijshme se të gjitha sulmet që janë hedhur nuk kanë atë në shënjestër.

Giorgia Meloni, kryeministre e Italisë: Është bërë një fushatë denigruese, por nuk jeni ju shënjestra. Pavarësisht suksesit ose jo të marrëveshjes, e gjithë kjo është pjesë e përbaltjes që i bëhet qeverisë italiane. Premtoj se në të ardhmen do të jemi më të vëmendshëm ndaj të gjitha propozimeve apo marrëveshje që realizojmë. S’mund të vëmë në rrezik marrëdhëniet e fqinjësisë apo me vendet e tjera.

Kryeministrja italiane njoftoi se qendrat pritëse do të hapen duke filluar nga 1 Gushti, ndërsa zbatimi i marrëveshjes do të nisë fillimisht me mbërritjen e 1 mijë emigrantëve.

Giorgia Meloni, kryeministre e Italisë: Qendrat do të jenë operative prej 1 Gushtit, fillimisht me 1 mijë vende dhe më pas për të mbërritur tek shifra 3 mijë vende. Kostoja është 333 milionë euro në vit që përbëjnë 7.5% të trajtimit të trajtimit të emigrantëve në territor kombëtar. Do të kursejmë 136 milionë euro në vit.

Brenda kampit të Gjadrit do të ketë edhe një zonë burgu.

Giorgia Meloni, kryeministre e Italisë: Struktura e Gjadrit ku do të ndalen emigrantët, do të ketë edhe një hapësirë, ku do të mbahen emigrantët e burgosur. Rendi publik, brenda perimetrat e qendrave do të garantohet nga autoritetet italiane.

Por çfarë do të ndodhë në rast se emigrantët do të kërkojnë azil në Shqipëri?

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Keni dëgjuar ju që të vëmë kujën apo të shkojmë t’i themi, hajde merrini se do të shkojmë t’i hedhim në det. Jo. I mbajmë në hotel dhe i paguajmë ne siç na kanë mbajtur dhe na kanë pagur ne të tjerët, kur kishin ne nevojë, ku ishin ne afganët.

Kryeministri Rama e konsideroi një marrëveshje zemre që financiarisht nuk i sjell asnjë përfitim Shqipërisë.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Ne nuk kemi kërkuar asnjë euro sepse në momentin që do të kërkohet një euro, ne nuk do të ishin ne dhe Shqipëria nuk do të ishte ajo që është dhe që duhet të jetë. Një mik dhe një aleat që është aty pronto në momentin kur një mik i madh dhe një aleat i madh si Italia thotë, “a mund të na jepni një dorë”.

Kryeministrja italiane Giorgia Melonii ndër të tjera, hodhi poshtë edhe akuzat e opozitës në Itali se kjo marrëveshje është një taktikë elektorale.

Klan News