“Realisht ka vite pa pësuar një humbje të tillë, por më shumë është mënyra se si u mor kjo humbje”, tha Gazetari sportiv, Fatmir Mëneri.

Shqipëria u mund 4 – 0 nga Skocia në Shkodër dhe për të gjetur një humbje kaq të thellë në shtëpi duhet të kthehemi 25 vite pas. Asokohe Spanja fitoi me rezultatin 5 – 1 në Tiranë për kualifikueset e Kupës së Botës 1994. Sot dhe pas një pjesëmarrje në finalet e Europianit është një pikë e ulët për Kombëtaren. Gazetari Fatmir Mëneri nuk është dakord me mënyrën se si i kalon problemet trajneri Christian Panucci.

“Mund të pajtohem me gjithçka, por jo me frazën unë marr përsipër gjithçka. Kur merr përsipër gjithçka dhe nuk ka asnjë lloj aksion veprimi prapa, kjo është e pakuptimtë.”

Për Mënerin rreth trajnerit Panucci nuk ka një klimë të mirë. 

“Unë nuk di të ketë afeksion të madh të futbollistëve, drejtuesve të federatës dhe tifozëve ndaj Panucci. Në një lloj pikëpamje nuk ka krahë të ngrohtë rreth vetes.”

Duket se pas 13 ndeshjesh dhe pa një zgjidhje për të ardhmen, periudhës së Christian Panucci duhet t’i vijë fundi sipas gazetarit Fatmir Mëneri. 

“Ne trajnerin e kemi marrë të mirë të huaj sitematiskisht këtë periudhë vetëm për faktin që të gjejë zgjidhjet e duhura sa më shpejt të jetë e mundur dhe kjo kohë besoj se ka mbaruar.”

Shqipëria të martën do të ketë një miqësore me Uellsin në Elbasan. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, tha para pak ditësh se pas këtij takimi do të bëhet analiza e punës së Christian Panuccit.

Tv Klan