Anëtari i trupit gjykues të çështjes “Kokaina”, Gjin Gjoni, do të vazhdojë të shqyrtojë këtë dosje me 6 të pandehur. Pas deklarimit të përbashkët të këtyre të fundit në seancën e djeshme për përjashtimin e Gjonit.

Kryetari i Gjykatës së Tiranës caktoi gjyqtarin Ridvan Hado për  të vendosur mbi këtë kërkesë. Në seancën e drejtuar prej tij dhe ku nuk u lejuan kamerat u paraqit edhe i akuzuari Sokol Koçiu, i cili është përjashtuar nga procesi kokaina për thyerje të disiplinës.

Zoti Hado rrëzoi kërkesën  e depozituar nga të akuzuarit duke lënë kështu të pandryshuar përbërjen e trupit gjykues të çështjes. Pas këtij vendimi Sokol Koçiu u shoqërua për në qeli, ndërsa bashkëvuajtësit e tij u paraqitën në seancën e çështjes “Kokaina”, ku drejtuesi i trupit gjykues Martin Deda shpalli vendimin për mospërjashtimin e kolegut Gjoni nga treshja gjykuese.

Deklarimin e radhës për mosmarrjen si provë të dëshmisë së Çestarit në mungesë të të pandehurit Koçiu e ka lexuar Frederik Durda:

“Dua t’ju kujtoj dhe kërkoj që këto kërkesa të miat të pasqyrohen dhe të riprodhohen tërësisht në procesverbalin e seancës nga sekretarja në bazë të nenit 358”.

Pas disa orësh seancë me deklarime edhe këtë herë qe e pamundur të dëgjohen thëniet e dëshmitares Çestari të pyetur në Romë që në Nëntor të viti të kaluar./tvklan.al