Në kulmin e debatit për ndryshimin e 10 neneve mbi ligjin e funksionimit të prokurorisë, ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj ka thyer akullin, duke pritur në një takim sekret kryeprokuroren Ina Rama. Kjo e fundit është paraqitur në zyrën e ministrit rreth orës 10 të paradites dhe mësojmë se takimi është zhvilluar vetëm mes tyre.

Zyrtarisht pohohet për TV Klan, se tema e diskutimit ka qenë strehimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në ambientet e reja të Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila pritet të funksionojë që prej 11 shtatorit. Por burime brenda 2 dikastereve pohojnë, se ajo që ka përfshirë më shumë në një debat sa të heshtur dhe publik, prokuroren e përgjithshme dhe ministrin e Drejtësisë është ndryshimi i 3 neneve më të nxehta siç është ai i heqjes së imunitetit të kryeprokurorit.

Në një intervistë për Klan, ministri i Drejtësisë sqaroi në mënyrë të detajuar qëllimin e ndryshimeve në ligjin për ndryshimin e prokurorisë si dhe sqaroi se në asnjë rast nuk cenohet pavarësia e organit të akuzës. Nga ana e saj kryeprokurorja Ina Rama nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike ku ajo të pohojë se ligji i ri i cili pritet t’i dorëzohet për miratim parlamentit të ketë cenuar integritetin dhe pavarësinë e sistemit që ajo drejton.

Burime të sigurta pranë stafit të ministrit të Drejtësisë bëjnë të ditur se ditën e hënë në ambientet e kësaj ministrie do të diskutohet për herë të fundit me palët e interesit lidhur me ndryshime e ligjit përpara se drafti t’i kalojë parlamentit për miratim./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani