Vdekja e Kosta Trebickës ka rikthyer dhe një herë konfliktin mes Ministrit të Drejtësisë dhe kryeprokurores Ina Rama.

Alibeaj, i pyetur nga deputetët në komisionin e integrimit, ka fajësuar drejtpërdrejt prokuroren e përgjithshme për mosmarrjen në mbrojtje të dëshmitarit Kosta Trebicka në hetimet mbi ngjarjen e Gërdecit.

Enkelejd Alibeaj: “Është prokuroria ajo që identifikon rastet e dëshmitarëve, të cilët do të duhet të meritojnë mbrojtjen nga shteti. Është prokuroria ajo që do të artikulojë këtë nevojë për mbrojtje dhe do të duhet t’u kërkojë në mënyrë ekskluzive ajo vetë ndaj institucioneve ekzekutive mbrojtjen e dëshmitarëve”.

Gjatë njoftimit të parë publik pas lajmit të vdekjes së Kosta Trebickës Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se Trebicka nuk e kishte kërkuar statusin e veçantë të dëshmitarit dhe se në asnjë rast ai nuk e kishte deklaruar se ndihej në rrezik si pasojë e deklarimeve të dhëna në prokurori.

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, deklaroi po ashtu se asnjë strukturë e policisë nuk kishte marrë në mbrojtje shtetasin Trebicka pasi ndaj tij nuk ishte kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme dhënia e statusit të dyshimtarit.

Hetimet për vdekjen e Kosta Trebickës tashmë i kanë kaluar kufijtë e vendit. Dhe pse kjo vdekje i ka ndezur sërish debatet brenda institucioneve fjalën e fundit do ta thonë organet e hetimit.

Policia dhe prokuroria shqiptare do të asistohen nga një grup ekspertësh nga FBI-ja. Pas kërkesës që Ina Rama i bëri trupit diplomatik amerikan për asistencë hetimore në Shqipëri pritet të mbërrijë një grup ekspertësh.

Mësojmë se ekspertët do të rindërtojnë dinamikën e ngjarjes, zbardhjen e skemës së vendit të ngjarjes duke përdorur pamjet tredimensionale, si dhe cilësimin e rrethanave negative që nuk përputhen me vendin e ngjarjes./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani