Grupi trafikantëve të kokainës që u shpartallua në 2 shkurt, kishte të ardhura vjetore prej 400 milionë dollarësh. Kështu ka deklaruar sot gjatë një konference për shtyp ministri i Rendit Ilir Gjoni. Sipas tij trafiqet nuk lindin në Shqipëri, por janë fenomene ndërkombëtare. Gjoni cilësoi operacionet e fundit për kapjen e të implikuarve në trafikun ndërkombëtar të drogës si një shërbim madhor që i është bërë vendit dhe qytetarëve shqiptarë.

Aksionet e policisë shqiptare në luftën kundër trafiqeve kanë gjetur mbështetjen ndërkombëtare. Për këtë qëllim tha ministri do të ngrihet së shpejti në Vlorë dhe qendra rajonale e luftës kundër trafiqeve. Në të, përveç Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë do të marrë pjesë dhe Gjermania, SHBA e të tjerë. Qëllimi i funksionimit të kësaj qendre është koordinimi dhe ndarja e informacionit në aspektin operacional dhe në goditjen e trafiqeve, u shpreh Gjoni, duke përfunduar se Shqipëria është në fazën e bashkëpunimit konkret rajonal për t’i dhënë goditjen të gjitha trafiqeve./tvklan.al

Gazetare: Mirela Milori