Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Marrëveshja e qeverisë shqiptare me firmën italiane për importimin dhe përpunimin e plehrave, në qarkun Tiranë-Durrës, nuk mund të realizohet. Pengesë për të arritur një gjë të tillë, sipas Ministrit të Mjedisit Et’hem Ruka, janë ligjet shqiptare në fuqi.

Et’hem Ruka: “Dy ligjet që operojnë në këtë drejtim, ligji për mbrojtjen e mjedisit dhe ligji për trajtimin e mbetjeve të ngurta, ndaloi në mënyrë kategorike çdo lloj lënde në formën e mbetjeve që vjen në Shqipëri për t’u ruajtur, apo për t’u depozituar dhe aq më keq për t’u asgjësuar. Shkurt, asnjë lloj lënde që konsiderohet mbetje nuk mund të vijë në territorin e Shqipërisë, që të asgjësohet, depozitohet etj.”

Ministri Ruka është pesimist edhe përsa i përket nismave për ndryshimin e legjislacionit, në tentativë për ta bërë të realizueshëm projektin e propozuar nga firma Albania Bag.

Et’hem Ruka: “Unë nuk e kuptojë se çfarë duhet të ndryshojmë në legjislacionin shqiptar, sepse psh. lëndët nuk pranohen nga asnjë vend i Europës të asgjësohen nga një vend të vendit tjetër, me përjashtim të 4-5 vendeve që bëjnë pjesë në grupin EFTA, ndërsa në vendet e tjera është e ndaluar kategorikisht me ligj, që një pjesë lëndësh të shkojnë të asgjësohen në një vend tjetër. Ka vetëm një mënyrë për të lejuar, kur dy shtete bëjnë një marrëveshje me njëri-tjetrin dhe kur kjo marrëveshje miratohet në Komunitetin Europian”.

Megjithatë edhe në një rast të tillë, kërkohet transparencë maksimale për procesin.

Et’hem Ruka: “Procesi duhet të jetë transparent, ku shoqëria civile duhet të ndjek procesin, gjithashtu duhen zbatuar dhe të gjitha derivatet që vijnë nga konventa e Arusit, që kërkon jo vetëm transparencë, por edhe mendimin e komuniteteve, pra të të gjitha njësive që përfitojnë nga kjo marrëveshje”./tvklan.al