Një qendër rajonale ankandesh për shitblerjen e energjisë është planifikuar të ngrihet në fqinjin tonë verior, në Malin e Zi. Vendimi është marrë gjatë takimit të 5 Këshillit të ministrave të Komunitetit të Energjisë i zhvilluar paraditen e së enjtes në Tiranë. Për ministrin Genc Ruli, vënia në punë e kësaj qendre do të garantojë furnizimin me energji për vendet e rajonit.

Genc Ruli: “Miratuam sot ngritjen e qendrës së koordinimit të ankandeve për kapacitetet e transmetimit. Mjaft nga vendet e rajonit Shqipëria e përfshirë kanë përballur gjatë këtyre viteve probleme të shumta në lidhje me shpërndarjen e kapaciteteve të transmetimit. Deh besojmë që kjo qendër koordinimi do të lehtësojë dhe do të favorizojë në mënyrë proporcionale të gjitha vendet në shfrytëzimin e të gjitha këtyre kapaciteteve për garantimin e furnizimit të ekonomive të tyre.”


Në lidhje me ambiciet e qeverisë shqiptare për ngritjen e një centrali bërthamor, përfaqësuesi i Komunitetit Evropian u shpreh pozitivisht, duke theksuar se më parë do të duhet të respektohen standardet.

Fabrizio Barbaso: “Mirëpresim që Shqipëria si një vend që aspiron futjen në BE  të vendosë standardet më të larta të sigurisë ne planin e saj për ndërtimin e centralit nuklear.”

Komisioni Evropian u tërhoqi vëmendjen vendeve të rajonit për ndarjen e të njëjtit kuadri ligjor çka do të krijonte një treg të përbashkët me më tepër mundësi investimesh. Po ashtu edhe aktualiteti i naftës, krahas gazit dhe energjisë, do të vihet në fokus të projekteve të përbashkëta, një liste e të cilave u përpilua në fund të takimit./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro