Lefter Cenaj ka qenë në gjendje të lirë, kur policia greke ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Lartë për arrestimin e tij në Athinë me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Zyrtarë të lartë të Interpolit Shqiptar deklarojnë për TV Klan se përpjekjet për ekstradimin e ish-bosit të kompanisë rentiere, Lefter Cenaj kanë dështuar disa herë.

Apelimi i vendimit për dënimin e tij ka qenë dhe një arsye më shumë që i zmbrapsur ligjërisht agjentët e Interpolit Shqiptar në shtetin grek. Miliona lekë të përfituara nëpërmjet mashtrimit janë financuar në biznese private në Greqi. Ndërsa të tjera llogari bankare janë sekuestruar nga shteti grek.

Prokuror të cilët janë marrë me hetimin e dosjeve me të pandehur bosët e ish-firmave piramidale, deklarojnë se në bazë të një konvente evropiane për mallrat e sekuestruara. Pasuria që disponon Lefter Cenaj në Greqi do të transportohet për llogari të shtetit shqiptar, vetëm pasi këtë gjë ta legjitimojë gjykata e vendit ku ai ka depozituar këto para.

Ish-bosi i kompanisë rentiere Lefter Cenaj do të vuajë dënimin me 10 vjet burg në qelitë e burgut të sigurisë së lartë 302 në Tiranë. Ministria e Drejtësisë kërkoi nga shteti grek arrestimin dhe ekstradimin e Lefter Cenaj, duke e dërguar dosjen me vendimin e gjykatës që në vitin 2003./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani