Tirana duket një qytet energjik, por megjithatë nuk e mbart ritmin e metropoleve më të zhvilluara ku vrapohet për të mos çuar dëm asnjë minutë. Tek ne jo minuta, por mund të vriten orë të tëra, nëpër bar-kafe, në përshëndetjet e stërzgjatura me njëri-tjetrin, në blerjet e ngadalta nëpër dyqane në ecje e në shumë aspekte të tjera.

Ngado humbet koha e quajtur flori më shumë në fjalë sesa veprime, sepse në përgjithësisht çdo gjë e marrim shtruar.

“Është shumë ndryshe, njerëzit këtu flasin shumë.”

“Duam shumë më dinamikë për të arritur vendet tjera.”

“Ne kohën e vlerësojmë flori, po nuk e vlerësojnë të gjithë sepse është rritur mirëqenia e njerëzisë nuk është siç ka qenë. Dhe tani e dinë sikur është krijuar vetvetiu, pa punë nuk krijohet.”

Zyhdi Dervishi: “Përgjithësisht shqiptarët në këtë çështje janë të ndarë në dy grupe , në dy kategori. Një pjesë janë shumë të impenjuar, shumë të angazhuar në punë e vlerësojnë shumë kohën, por këto janë pakica. Të tjerë nuk dinë ta menaxhojnë kohën, përkundrazi koha u rrëshqet nga duart.”

Tirana ndryshon nga metropolet më të zhvilluara si Londër, Milano, New York, Melburn e të tjerë ku vrapohet. Por ngjan ama me Romën, Athinën, Madridin apo Lisbonën, të gjitha qytete mesdhetare. Të ngjashme në klimë e për pasojë në mjaft zakone.

“Shumë të ngadaltë, vendet mesdhetare janë kështu, mendoj se vjen nga klima e nxehtë.”

Sociologu shpjegon si shkaqe traditën ballkanike të muhabeteve dhe thashethemnajave. Mungesën e objektivave reale dhe se jemi një popull që kënaqemi me pak. Por cilat janë zgjidhjet?

Zyhdi Dervishi: “Shpërdorimi i kohës është padyshim një nga humbjet më të mëdha të shoqërisë shqiptare. Tani dhe besoj fatkeqësisht drejt të ardhmes së afërt situata nuk do mund të ndryshojë shpejt. të themi të arrijmë standardet e Evropës në këtë pikë dhe brenda kaq viteve. Dhe nëse ne i vejmë objektiva të tilla vetes unë besoj që ne do ti përqendrojmë energjitë tona në drejtim të arritjes së këtyre objektivave dhe nuk do na mbetet kohë për të vrarë kohë./tvklan.al

Gazetare: Magdalena Alla