Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Florion Seriani:- “Nga ora 13:00, e deri në orën 19:00, janë regjistruar këto incidente. Në qarkun e Shkodrës, në fshatin Telum të komunës Temal, kanë përfunduar votimet në orën 11:00, janë plotësuar procesverbalet dhe më pas ka pasur një konflikt brenda anëtarëve të qendrës së votimit. Kryetari i qendrës së votimit Tonin Zyberi, ka marrë procesverbalin dhe është larguar me varkë nëpërmjet liqenit të Komanit në drejtim të Shkodrës. Ndërsa nënkryetari Lekë Cama, ka marrë fletët e qendrës së votimit dhe është larguar në drejtim të pyllit. Sipas informacionit të fundit rezulton, se në qendrat e votimit nr. 17 dhe 001 të komunës Guemirë të rrethit Malësi e Madhe, komisionerët e subjektit politik PS, janë nxjerrë me forcë nga komisionerët e PD, nga komisioni i qendrës së votimit dhe më pas këta të fundit kanë plotësuar dhe hedhur në kuti, të gjitha fletët e votimit. Lidhur me vjedhjen e 100 fletëve të votimit të qendrës së votimit 321, në shkollën “Vasil Shanto” në Shkodër rezulton se ato janë marr nga sekretari i qendrës së votimit Tren Xhabia, i cili ka marrë edhe vulën e qendrës dhe është larguar. Në Qarkun e Durrësit, në orën 12:30, nga komisioni i qendrës së votimit nr. 14/86, që ndodhet në shkollën e re në Kënetë është bërë kërkesë për ndërhyrje të punonjësve të policisë, pasi nuk largohen nga qendra e votimit shtetasi Bujar Hasandoci. Në Qarkun e Korçës nga ora 10:00, shtetasi Ymer Tollozhina së bashku me tre persona të tjera, ka shkuar në qendrën e votimit tek shkolla “Gjergj Pekmezi” dhe ka sharë e ofenduar shtetasit që shkoni për të votuar. Më pas ky shtetas është futur në qendrën e votimit dhe ka goditur shtetasin Qmil Bojka që ishte duke votuar. Në Qarkun e Gjirokastrës, në qytetin e Tepelenës, në një lokal në afërsi pranë Shtëpisë së Oficerëve, ku ndodhet një qendër votimi, ka pasur një grindje gjatë së cilës ka pasur edhe të shtëna me armë. Në fshatin Dushkarak, komuna Sevaster, shtetasi Engjëllush Shameti, ka kërcënuar kryetarin e KZAZ dhe është larguar për në Vlorë”./tvklan.al