Shqipëria do të ketë për herë të parë një studim demografik shëndetësor, që do të hartohet nga Instituti  i Shëndetit Publik dhe INSTAT, në bashkëpunim me disa organizata të huaja dhe nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë.  

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, u shpreh se ky studim është shumë i rëndësishëm për vendin tonë.

Në të do të përfshihen rreth 8 mijë femra të moshës 15-49 vjeç, si dhe gjysma e popullsisë mashkullore të kësaj moshe dhe fëmijët nën 6 vjeç.

Anila Godo: “Një studim i tillë konsiderohet i domosdoshëm për të pasur evidenca të bazuara shkencërisht me qëllim orientimin e duhur të politikave dhe vendimmarrjes së përshtatshme për shumë probleme, fertiliteti, vdekshmëria nën 5 vjeç, përdorimi i metodave kontraceptive, mbulesa vaksinale, kujdesi për gruan shtatzënë dhe fëmijët, ushqyerja me gji, sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Ministria e Shëndetësisë është duke punuar dhe për ngritjen e një sistemi informacioni të integruar në të gjitha nivelet e shërbimit sepse ne kemi të trashëguar një sistem informacioni të cunguar dhe të fragmentizuar”.

Puna përgatitore për këtë studim ka nisur që në vitin 2007, ndërsa në fillim të Nëntorit të gjitha grupet e punës do të dalin në terren për mbledhjen e të dhënave, të cilat më pas do të përpunohen për të dhënë në Shtator të vitit 2009 studimin përfundimtar./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami