Mjekja pediatre Gjeorgjina Kule është emëruar drejtoreshë e përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Prezantimi i kreut të ri të QSUT-së është bërë nga vetë ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, e cila ritheksoi edhe një herë se shëndetësia shqiptare ka mjaft probleme, por më kryesori mbetet humbja e besimit të pacientëve dhe çështja e korrupsionit.

Anila Godo: “Unë me stafin tim kam premtuar që do t’i qëndroj korrupsionit mbi kokë në kuptimin korrupsionin të të gjitha niveleve dhe në të gjitha llojet e tij, ndodhte më shumë në ato fijet e fshehta që nuk kapen çdo ditë, por më shumë se për çdo gjë në këtë kërkoj bashkëpunimin tuaj.”

Drejtoresha e sapoemëruar e QSUT-së në fjalën e saj kërkoi bashkëpunimin e të gjithë mjekëve për ta çuar përpara qendrën më të madhe universitare në vend.

Gjeorgjina Kule: “Iku koha e pakicave elitare dhe individëve të ngritur në kult, drejtimi i QSUT-së do të bëhet në staf dhe pjesëtarë të këtij stafi jeni ju shefat e shërbimeve. Kështu që unë besoj në mbështetjen tuaj.”

Qendra Spitalore Universitare për rreth një viti e gjysmë është drejtuar nga Mati Pepa, i cili me shkarkimin nga detyra si drejtor i përgjithshëm, ka kaluar nëndrejtor ekonomik në QSUT./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami