Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare, mund të jetë shkrimtari më i famshëm shqiptar, për të cilin askush nuk kishte dëgjuar diçka tjetër jashtë botës letrare, por ai i ka lënë trashëgim vendit të tij, Shqipërisë shtëpinë e vjetër në Gjirokastër, e cila është tashmë një muze kushtuar jetës dhe veprave të tij.

Kështu shkruan “The Sydney Morning Herald”, gazeta e përditshme australiane, e cila i kushton një artikull të veçantë dy qyteteve jugore Gjirokastrës dhe Sarandës.

“Në kulmin e sezonit Gjirokastra dhe qyteti bregdetar, Saranda popullohen nga turistë italianë, britanikë, të cilët tërhiqen nga stili i jetesës relativisht i lirë, ujërat e kristalta dhe moti i nxehtë mesdhetar”, shkruan gazeta.

Një pjesë e vogël e anijeve turistike që lundrojnë në bregdetin e Adriatikut ndalojnë herë pas here në Sarandë. Pasagjerët, pasi zbresin nga anija, mund të marrin autobusin që i çon në Butrint, një qytet i lashtë grek dhe romak vetëm 20 minuta në jug, ose në Gjirokastër, 45 minuta me makinë.

Vizitorët mund të ecin përgjatë shëtitores bregdetare të Sarandës, të zbulojnë Butrintin dhe Syrin e Kaltër, një burim me ujëra të pastër blu deri në një thellësi prej më shumë se 50 metrash, gjatë një turneu njëditor.

Në fund të fundit, kush mund t’i rezistonte një kështjelle mesjetare të vendosur mbi një shkëmb marramendës në mes të një fushe gjigante, shkëmbore? Kjo ishte nje arsye e mjaftueshme për të vizituar Butrintin.

Autori shkruan se në të vetmen librari në Sarandë për shitjen e librave në gjuhën angleze shitësja i rekomandoi pikërisht “Kronikë në gur” të Kadaresë, rrëfimin e tij imagjinar të rritjes në Gjirokastër gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një libër, që siç thotë autori i këtij artikulli, jo vetëm i hapi sytë ndaj një shkrimtari të jashtëzakonshëm, por përshkrimet e tij për Gjirokastrën dhe historinë e saj e bënë të detyrueshme një vizitë.

Gjirokastra, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, në të vërtetë, është një qytet prej guri.

Sigurisht, në kohën e Kadaresë kishte më pak hotele, restorante, kafene, bare, shëtitje në këmbë dhe dyqane suveniresh.

Më pas, vizitoni Pazarin e Gjirokastrës ku bashkohen pesë rrugë dhe ndaloni në një kafene për të shijuar një kafe dhe një byrek, byrekun tradicional shqiptar të bërë me petë të mbushura me djathë dhe spinaq.

Kalaja e Gjirokastrës, kalaja që shkëlqen mbi qytet dhe dominon luginën e lumit, duket sikur osmanët sapo janë larguar.

Është ruajtur në mënyrë të përsosur dhe është mbushur në mënyrë anakronike, por me shije, me artileri të kapura nga luftërat e ndryshme që kanë rënë dhe kanë ndodhur këtu.

Kadare shkroi për “qytetin e tij gri të lashtë”, duke cituar se shumë gjëra aty ishin thjesht të çuditshme dhe të tjerat dukej se i përkisnin një ëndrre.

Gazeta austrliane shkruan se linja të ndryshme ajrore fluturojnë nga Australia në Tiranë, kryeqytetin shqiptar, por nuk ka fluturime direkte. Ndërsa për transportin brenda vendit sugjeron autobusë apo makinat me qira. Rrugët kryesore janë të gjitha të mirëmbajtura në mënyrë të shkëlqyer, shkruan e përditshmja australiane, ndërsa sugjeron që për një pamje fantastike të merret rruga e bregdetit.

Klan News