Shikojeni pak këtë plazh. Mund të mendoni se është Greqia apo Italia. Por në fakt kjo që po shikoni është në Shqipëri.

Kështu dhe me një transmetim live nga Ksamili e nisi “Mirëmëngjes Amerika”, emisioni që zgjon amerikanët në gjigandin mediatik ABC, programin e kësaj të hëne. 

“Shiko, kur unë them Shqipëria, shumë njerëz nuk e mendojnë si një destinacion për pushime dhe mbase shumë e lidhin ende këtë vend me komunizmin. Por kur shihni këtë plazh, ju mund të kuptoni se sa shumë ka ndryshuar ky vend në 30 vitet e fundit”.

Gazetarja Megi Rulli, e mahnitur nga bukuria e Ksamilit e fton audiencën amerikane të ndjekë shembullin e saj për ta vizituar këtë mrekulli të natyrës.

Ajo prezantoi edhe një reportazh në të cilin tregoi me detaje atë që të ofron bregdeti i Sarandës me çmime shumë më konkurruese se Greqia fqinje.

Gjatë paradites veç plazhit, ushqimit të mirë e të lirë ABC sugjeron dhe vizitën në Butrintin antik ku mund të gjesh njëherësh dhe qytetërimit grek dhe atë romak, por dhe Syrin e Kaltër. Sigurisht duke u ndalur dhe shijuar gastronominë ku gjithmonë krahasimi i çmimeve bëhet me restorantet greke.

Gjirokastra dhe rrugicat e saj të pjerrta si dhe dyqanet me veshje tradicionale janë një tjetër sugjerim për pushuesit amerikanë nga gazetarja e një prej emisioneve më të ndjekura në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Tv Klan