Misioni i EULEX-it dështoi në ballafaqimin e parë serioz me strukturat paralele serbe në veri të Kosovës.

Rreth 150 serbë, të cilët pohojnë se janë ish-punëtorë të gjykatave në veri të Mitrovicës kanë bllokuar hyrjet në këtë institucion të drejtësisë duke mos lejuar zhvillimin e seancës së parë gjyqësore pas një viti pauze të detyrueshme.

Serbët kanë protestuar kundër zbatimit të çdo gjëje që ka të bëjë me republikën e Kosovës.

“Para se të hapen gjykatat kemi kërkuar të saktësojmë një dilemë. Çka do të bëjë EULEX-i këtu? Cilat ligje do t’i zbatojë? Në emër të kujt do të punojë dhe me cilat vula do t’i vulosë vendimet? Dëshirojmë të dimë kë do ta përfaqësojë EULEX-i?”

Burime të Klan Kosova njoftuan se gjykatësit e EULEX-it kanë pasur me vete vula të republikës së Kosovës dhe kjo ka qenë arsyeja kryesore e protestimit të serbëve.

Gjykatat në veri të Mitrovicës ishin bllokuar nga serbët që nga ora 8:30 duke pamundësuar hyrjet-daljet deri në mesditë.

Gjatë kësaj periudhe tre përfaqësues të serbëve hynë në objektin e gjykatave dhe biseduan për një kohë të caktuar me shefin e misionit të EULEX-it për Mitrovicë, Majkëll Hunish.

“I kemi thënë se nuk do të ndërprejmë bllokadën derisa të informohemi se gjykimi i sotëm dhe në ditët në vijim nuk do të mbahet derisa të qartësohen gjërat. Natyrisht gjërat duhet të qartësohen në nivel demokrat EULEX-UNMIK.”

Në një kumtesë për media EULEX-i ka shpjeguar pse nuk është mbajtur gjykimi. Gjykatësi kryesor ka vendosur të shtyjë gjykimin për shkak të këshillave serioze lidhur me situatën e sigurisë, thuhet në këtë kumtesë.

Policia në Mitrovicë ka njoftuar se protesta e sotme e serbëve para gjykatës ka kaluar pa incidente.

Njësitë e forcave shumëkombëshe të KFOR-it kanë siguruar portën hyrëse që shtëpia drejt objekteve të gjykatës dhe stacionit policor në veri të Mitrovicës./tvklan.al